Al-Ittihad gati 15 milionë euro për Edon Zhegrovën

Gjiganti saudit, Al-Ittihad, ka rikthyer interesimin për yllin e Kombëtares së Kosovës, Edon Zhegrova, dhe po përgatit një ofertë konkrete prej 15 milionë eurosh për ta transferuar gjatë afatit kalimtar të janarit.

Sipas raportimeve të mediumit italian “Tuttojuve”, klubi nga Arabia Saudite kishte tentuar ta siguronte 27-vjeçarin edhe në ditët e fundit të afatit kalimtar të verës, ndërsa lëndimi i rëndë i sulmuesit të krahut Roger Fernandes i ka shtyrë drejtuesit sauditë të rikthehen me një ofensivë të re, transmeton IndeksOnline.

Nga ana tjetër, Juventusi është i gatshëm ta shqyrtojë shitjen e Zhegrovës për një shifër rreth 15 milionë euro. Që nga transferimi i tij në Torino nga Lille, sulmuesi kosovar nuk ka arritur të gjejë hapësirat e duhura në formacionin e trajnerit Luciano Spalletti, duke pasur minutazhë të kufizuar dhe duke mbetur jashtë listës së UEFA-s.

Edhe vetë futbollisti thuhet se është i hapur për një aventurë të re ku do të kishte rol më të rëndësishëm, ndërsa përveç Al-Ittihadit, interesim për shërbimet e tij së fundmi kanë shfaqur edhe klube evropiane si Monaco dhe Beshiktas.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Close