Xhiroja e fundit e sezonit në Ligën e Parë të futbollit të Maqedonisë së Veriut solli jo vetëm fundin e kampionatit, por edhe mbylljen e karrierës për tre futbollistë të njohur.

Në ndeshjen e fundit të sezonit, KF Arsimi i dha lamtumirën futbollit të luajtur portierit dhe kapitenit Vullnet Islami, mesfushorit Maliq Beluli dhe ish-reprezentuesit Xhelil Abdulla.
Një kapitull të gjatë e të pasur në futboll e mbylli edhe Xhelil Abdulla. Ish-futbollisti i disa klubeve të njohura dhe ish-reprezentuesi vendosi që sezonin e fundit të karrierës ta kalojë me Arsimin, duke sjellë përvojën dhe autoritetin e tij në skuadër.

Islami largohet pas më shumë se 150 ndeshjeve zyrtare me fanellën verdhezi, duke qenë një nga futbollistët e parë që iu bashkua projektit të Arsimit dhe një prej figurave kryesore në ngritjen e klubit ndër vite.

Karrierën e mbylli edhe Maliq Beluli, një nga protagonistët e suksesit që solli ngjitjen e Arsimit në elitën e futbollit vendor. Mesfushori ishte ndër lojtarët kyç në rrugëtimin e skuadrës drejt Ligës së Parë dhe më pas edhe në paraqitjet mes më të mirëve.
Me këtë rast, klubi u shprehu mirënjohje të tre futbollistëve për kontributin e dhënë ndër vite, ndërsa ata largohen nga fusha e blertë me respektin e bashkëlojtarëve, klubit dhe tifozëve.

