Shkëndija bashkon mbi 330 fëmijë me ekipin e parë në një “Open Day” të veçantë

Një ngjarje e rrallë për futbollin në vend, Shkëndija organizoi një “Open Day” special ku mbi 330 fëmijë të Akademisë patën mundësinë të kalojnë kohë pranë futbollistëve të ekipit të parë.

KF Shkëndija realizoi një aktivitet të veçantë që rrallë shihet në futbollin vendor, duke bashkuar në një vend ekipin e parë dhe gjithë shkollën e futbollit kuqezi në një “Open Day” plot emocione, fotografi dhe momente të paharrueshme.

Nga U8 deri te U19, plot 12 gjenerata me mbi 330 fëmijë ishin pjesë e aktivitetit që u organizua në kuadër të fotosesionit zyrtar për albumin që klubi po përgatit për herë të parë.

Fëmijët patën rastin të takojnë nga afër futbollistët që këtë sezon shkruan historinë evropiane të Shkëndijës me paraqitjen në fazën kryesore të UEFA Conference League dhe play-off-et evropiane. Autografe, fotografi, buzëqeshje dhe emocione të shumta shoqëruan aktivitetin, ndërsa atmosfera festive u ndje edhe te prindërit dhe familjarët e pranishëm.

Në fund, e gjithë familja kuqezi realizoi një fotografi të përbashkët, ekipi i parë së bashku me gjithë gjeneratat e shkollës, në një moment që simbolizon lidhjen mes suksesit aktual dhe të ardhmes së klubit.

Një ide dhe organizim që solli emocione të veçanta për fëmijët, prindërit dhe gjithë komunitetin kuqezi.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Close