FFM i kundëpërgjigjet Shkëndijës: Çdo herë kur humbni pikë, fajtorë janë arbitrat 

Federata e futbollit të Maqedonisë së Veriut iu është përgjigjur Shkëndijës, të cilët pas barazimit me Brerën dolën me një reagim për referimin. 

KOMUNIKATA E PLOTË E FFM-së: 

KF Shkëndija sot doli përsëri me deklaratën tashmë të njohur: sa herë humben pikë, fajtorë bëhen gjyqtarët, federata ose edhe bari i fushës.

Është interesante se pikërisht këtë sezon në Ligën e Parë të Maqedonisë së Veriut (LPFMV), klubi nga Tetova statistikisht është një nga më të mbrojturit, pothuajse pa asnjë gabim serioz të gjyqtarëve në ndeshjet e tyre. Ky është një fakt që prej kohësh nuk është sekret; e dinë edhe opinioni futbollistik edhe klubet e tjera.

Por kjo duket se nuk është problem përderisa rezultatet shkojnë në favor të tyre. Si vitin e kaluar, për shembull, kur vendimet skandaloze të gjyqtarëve në ndeshjen kundër Tikveshit u mundësuan të arrijnë deri te titulli. Këtë e dinë edhe “zogjtë”. Atëherë, natyrisht, nuk pati deklarata dhe as shqetësim për “integritetin” e garës.

Sot, pas barazimit me Brerën, sërish kërkohet alibi. Të njëjtët gjyqtarë, që sipas tyre janë problem sot, “lejuan” që Shkëndija të fitojë në minutën e fundit në Kratovë para rreth dhjetë ditësh, si dhe në ndeshjen kundër Vardarit në xhiron e kaluar. Por atëherë, duket se gjithçka ishte në rregull.

Në deklaratën e saj, Shkëndija përmend edhe ndeshjen Sileks – Vardar, edhe pse është simptomatike që pikërisht Sileksi, si pjesëmarrës i drejtpërdrejtë në atë ndeshje, nuk është ankuar fare për gjykimin.

Po ashtu është interesante që nga Tetova nuk pati asnjë reagim kur në stadiumin e tyre gjyqtarët u sulmuan duke u qëlluar me skalpel dhe u goditën me monedha metalike dhe çakmakë. Atëherë, duket se nuk pati nevojë për deklarata dhe shqetësim për mbrojtjen e gjyqtarëve.

Është e qartë se kjo deklaratë është skenar i dyshes së njohur në klub, Lulzim Imeri dhe Besnik Ibraimi. Dyshja që në tre takimet e fundit me drejtuesit e federatës u interesua më shumë për interesat e klubeve të tjera sesa për ato të vetat.

Shkëndija, si klub me një sponsor serioz dhe investime të mëdha si Ekolog, meriton një drejtim shumë më të përgjegjshëm dhe më serioz, e jo këtë stil komunikimi që reduktohet në presione, alibi dhe përpjekje të vazhdueshme për të krijuar teori konspirative.

Arroganca në menaxhimin e klubit dhe “shikimi nga lart” ndaj të gjithë të tjerëve në ligë nuk çojnë drejt suksesit, por drejt të kundërtës.

Nëse tashmë paralajmërojnë se do t’i drejtohen UEFA-s, le ta bëjnë lirshëm. Ne madje do t’i ndihmojmë në këtë qëllim dhe do të dorëzojmë të gjitha statistikat dhe analizat video nga ndeshjet e Shkëndijës, që të shihet sa “i dëmtuar” është në të vërtetë klubi nga Tetova.

Kjo udhëheqje e Federatës së Futbollit të Maqedonisë nuk ka ndërmend t’u nënshtrohet përpjekjeve të tilla për presion, as deklaratave që shfaqen sa herë që dikush humb pikë. Këto metoda janë lexuar prej kohësh në futbollin vendor dhe nuk do të ndryshojnë asgjë.

FFM do të vazhdojë të mbrojë vetëm integritetin e garës, pa të privilegjuar dhe pa të paprekshëm. Rregullat vlejnë për të gjithë, pa përjashtim. Çdo incident do të sanksionohet. Si për të gjithë, ashtu edhe për ju. Për këtë jini të sigurt.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Close