Pjesëmarrja historike në Conference League dhe paraqitjet dinjitoze në Kupat e Evropës nuk kanë kaluar pa u vërejtur. Shkëndija e Tetovës po e sheh gjithnjë e më shumë produktin e saj të vlerësuar në arenën ndërkombëtare, me 6 futbollistë që do të jenë pjesë e përfaqësueseve të ndryshme gjatë pauzës së shtatorit.

Pas Reshat Ramadanit, Baboucarr Gayes, Anes Meliqit dhe Numan Ajetit, ftesa kanë mbërritur edhe për Nazif Cekën dhe Ronaldo Websterin, duke e çuar në gjashtë numrin e kuqezinjve që mbrojnë ngjyrat e vendeve të tyre.

Ronaldo Webster – sulmuesi xhamajkan është përfshirë në listën e “Reggae Boyz” për dy ndeshjet kualifikuese të Kupës së Botës: më 5 shtator ndaj Bermudas (në Bermuda) dhe më 9 shtator ndaj Trinidad & Tobagos (në Kingston). Webster është thirrur të jetë me Xhamajkën në dispozicion nga 1 deri më 10 shtator.
Nazif Ceka – mbrojtësi 17-vjeçar, produkt i shkollës së futbollit Shkëndija dhe me kontratën e parë profesionale të nënshkruar këtë verë, është grumbulluar nga Maqedonia U19 për miqësoret ndaj Bosnjë e Hercegovinës (4 shtator në Radovish dhe 6 shtator në Strumicë). Ceka debutoi me ekipin e parë në ndeshjen hapëse të sezonit kundër Shkupit (5:1 në Tetovë) dhe pritet të ketë minutat e para edhe me fanellën përfaqësuese.
Përveç tyre, në këtë pauzë ndërkombëtare me përfaqësueset do të jenë edhe:
- Reshat Ramadani – përfaqësuesja A e Maqedonisë së Veriut (ndeshje ndaj Arabisë Saudite dhe Lihtenshtajnit)
- Baboucarr Gaye – përfaqësuesja e Gambias (kualifikime të Botërorit kundër Kenias dhe Burundit në Nairobi)
- Anes Meliqi & Numan Ajeti – përfaqësuesja U21 e Maqedonisë së Veriut (kualifikime të Euro 2027 ndaj Polonisë dhe Italisë)
Për një klub që këtë verë bëri histori duke siguruar fazën e grupeve në UEFA Conference League, fakti që gjashtë futbollistë janë pjesë e kombëtareve tregon qartë se Shkëndija po bëhet një adresë e rëndësishme për zhvillimin dhe afirmimin e talenteve në nivel ndërkombëtar.

