Komisioni për Gara i FFM-së ndryshon datën e zhvillimit të xhiros së 33-të

Federata e Futbollit të Maqedonisë ka njoftuar zyrtarisht se për shkak të finales së Kupës së planifikuar për datën 21 maj 2025, Komisioni për Gara ka vendosur që ndeshjet e xhiros së fundit të Ligës së Parë Futbollistike të Maqedonisë së Veriut (xhiroja e 33-të) të mos luhen të dielën më 18 maj, por një ditë më herët, të shtunën, më 17 maj, me fillim nga ora 17:00.
Kjo nënkupton se ceremonia e dorëzimit të trofeut për kampionin e ri të vendit, KF Shkëndija, do të zhvillohet të shtunën në stadiumin e qytetit në Tetovë, pas përfundimit të ndeshjes kundër Sileksit.
Ndërkohë, FFM ka konfirmuar se dy ndeshje nuk do të zhvillohen fare, për shkak se ekipet e Voska Sport dhe KF Gostivar janë diskualifikuar nga gara për këtë edicion.
Sportmania do të sjellë atmosferën nga Tetova dhe momentin historik të kurorëzimit të kampionit të ri.

