Roberto Karlos kishte mbetur i impresionuar me aftësitë e jashtëzakonshme të Lionel Messit qysh në përballjen e tyre të parë mes vete në “El Clasico”. Legjenda braziliane zbulon se e kishte mjaft të vështirë që ta mbulonte tetë herë fituesin e Topit të Artë, kur ky i fundit ishte në fillimet e karrierës.

Dhe, ish-mbrojtësi i majtë ndihet i lumtur dhe me fat që s’është përballur me legjendën argjentinase kur ky e kishte arritur kulmin e karrierës. Karlos thotë se e dinte që Messi do të bëhej më i miri i botës dhe se do të fitonte gjithçka në karrierë, ndërsa shton se e shijoi më shumë atë duke e parë përmes televizorit ose në stadium, sesa nëse do të përballej eventualisht më shpesh me të në fushën e blertë.
”Kur Messi e dribloi Kanavaron dhe mua dhe vrapoi prapa nesh, më mahniti. E prita fundin e ndeshjes dhe shkova tek Kannavaro dhe i thash: ‘O Zot, kush është ky lojtar? Ai është Maradona i ri. Jam me fat, nuk më kishte mbetur shumë kohë para pensionimit dhe po mendoja se çka do të hiqte gjenerata e re e mbrojtësve me të… Ata kanë qenë vërtet në vështirësi kur janë përballur me të. Unë e dija se ai do të bëhej futbollisti më i mirë në botë. Në të ardhmen, ai do të fitonte gjithçka dhe jam i lumtur sepse më shumë e shikova sesa që u përballa me të.,” tha mes tjerash Roberto Karlos.

