Conte: Ëndërroj të fitoj Champions League, të tjerët mezi presin të festojnë dështimin tim

Antonio Conte flet sërish. Ish-trajneri i Juventusit, Interit dhe Tottenhamit, aktualisht pa stol dhe objekt i dëshirave të shumë klubeve (nga Milani te Napoli, për të mbërritur më pas te Roma apo vetë Juve) është intervistuar nga ‘Telegraph’, duke folur për veten, synimet dhe detyrimet që ndjen se ka për atë që ka bërë deri tani në karrierë.

“Duhet të fitoj, – deklaroi ai. – Përndryshe, të tjerët presin të festojnë dështimin tim. Kjo është e vërteta. Nuk mjafton vetëm të argëtohesh, skuadrat e mia duhet të fitojnë. Në të ardhmen mund të luaj me një linjë të lartë mbrojtëse me katër lojtarë, por duhet të presësh shumë, përndryshe rreziku është i madh”.

Obsesioni i Contes për fitoren mund të shihet edhe në këto fjalë: “Karriera ime përkthehet në fitore. Ato trofe janë përgjegjësi e madhe, sepse qëndrojnë atje për t’ju kujtuar: shiko, duhet të fitosh. E bëre këtë dhe duhet të vazhdosh ta bësh.

Nëse qëllimi përfundimtar është të fitosh kampionate dhe trofe, duhet të ofrosh edhe argëtim për tifozët. Vetëm të jesh një ekip argëtues nuk mjafton nëse dëshiron të fitosh. Kam stërvitur skuadrat më të mira dhe gjithmonë më kanë kërkuar fitoj.

Për mua tani është e pamundur të punosh me një ekip që vetëm argëton, sepse pritshmëritë janë gjithmonë fitoret. E dua të kaluarën time, por në të njëjtën kohë pritshmëria që ti sjell është gjithmonë shumë e lartë. Dhe nëse nuk fiton sërish, ke dështuar. Opsioni më i mirë i mundshëm është të argëtohesh dhe të fitosh”.

Fjalë të mëdha për një koleg të tij: “Guardiola është trajneri më i mirë në botë. Dhe kur trajneri më i mirë në botë bashkohet me një klub që mund t’ju mbështesë, mund të investojë për t’ju sjellë lojtarë të rëndësishëm për ta përmirësuar ekipin çdo sezon, duhet që qëndrosh në majë të botës. Pastaj, në futboll është shumë, shumë e vështirë të konkurrosh në të njëjtin nivel.

Historia ime thotë se kam marrë përsipër gjithmonë klube në një situatë të vështirë dhe me probleme. Unë gjithmonë ndërtoj. Pas sezonit tim të parë me Chelsea, kur fituam titullin, mund të kishim dominuar në Angli. Ne biseduam me (Romelu) Lukaku dhe (Virgil) van Dijk, me ata dy lojtarë të rëndësishëm mund ta kishim ndryshuar situatën”.

Conte, i cili prej vitesh i ka qëndruar besnik mbrojtjes me tre lojtarë, nuk e përjashton mundësinë që të luajë me katër në prapavijë: “Njerëzit mendojnë se 3-5-2 është një sistem mbrojtës, por kjo nuk është e vërtetë. Vetëm shikoni sa gola shënojnë ekipet e mia në çdo sezon. Nuk varet nëse ke tre apo katër në prapavijë, varet se si e ndërton mbrojtjen, ekipin dhe sulmin.

Në të njëjtën kohë, nuk është mirë të jesh shumë sulmues, as shumë mbrojtës. Duhet të respektosh karakteristikat e lojtarëve dhe të përshtatesh me to. Përvoja ime më thotë që, nëse dëshironi të fitoni kampionatin ose të ngrini një trofe, duhet të keni një ekip të ekuilibruar. Sezonin e kaluar, Manchester City ishte shembulli më i mirë i një ekipi me ekuilibër të madh, në mbrojtje dhe në sulm”.

Ëndrra e tij e madhe quhet Liga e Kampionëve: “Këtë kohë e mora pushim për veten, për familjen, për të vizituar prindërit e mi. Babai më shtyu të kthehesha shpejt, por është e rëndësishme të rimbushem, fizikisht dhe mendërisht. Tani problemi i vetëm është se kam shumë energji dhe po e shqetësoj gruan time.

Sinqerisht, një ditë do të doja të ngrija Champions League si trajner, por e di që është shumë e vështirë. Njerëzit mendojnë se është e thjeshtë, por duhet të qëndroni në klubin e duhur, një klub që përputhet me ambiciet tuaja, një klubi gati për të bërë hapin e fundit për të fituar Ligën e Kampionëve. Shikoni Manchester City, iu deshën 7 vite apo jo për ta fituar Ligën e Kampionëve? Do të doja t’ia jepja këtë gëzim babait tim. Ai më tha: Dua të të shoh duke ngritur Ligën e Kampionëve. Është jo e lehtë, por të gjithë mund të ëndërrojnë”.

Gjatë intervistës së gjatë, të dhënë për gazetën angleze, del në pah edhe ana më njerëzore e Contes: “Unë jam i sinqertë, i urrej gënjeshtrat. Kjo ndonjëherë mund të më ndihmojë ose ndonjëherë mund të më lëndojë. Personalisht preferoj më mirë të qëndroj i heshtur sesa të them një gënjeshtër të mirë. Kjo vlen edhe në marrëdhëniet me lojtarët e mi.

Gjatë sezonit mund të ndodhë që t’ju duhet një dialog i sinqertë, pozitiv ose negativ. Unë e di shumë mirë këtë, edhe unë kam qenë lojtar dhe disa trajnerë më kanë thënë gënjeshtra të bukura për të më mbajtur të qetë. Unë nuk e dua këtë lloj situate. E di shumë mirë që kur ke këto biseda të sinqerta me lojtarët, në fillim mund të sjellin pak zemërim. Pastaj, në përvojën time, koha e ndihmon lojtarin të të vlerësojë”.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Close