Shala: Tifozët nuk i kanë pritur mirë barazimet, por as ne nuk jemi të kënaqur, ndaj Strugës shkojmë për fitore! 

Shkëndija pasditën e sotme ka mbyllur seancën e parafundit stërvitore para ndeshjes me Struga Trim&Lum që luhet të dielën në kuadër të xhiros së 13-të në LPFMV. Ekipi kuqezi ka punuar mirë dhe brenda grupit ndjehet dëshirë e bindje për të treguar në derbi se Shkëndija është ekipi që meriton vendin e parë. 

“Të them të drejtën këtë javë jemi përgatitur maksimalisht për këtë ndeshje dhe i kemi marrë të gjitha masat. Ne e dimë mirë se këto dy barazimet e fundit nuk janë pritur mirë nga tifozët tanë, mirëpo edhe asnjëri nga ne nuk është i kënaqur me këto dy barazime. Kemi dhënë maksimumin dhe kemi shpresuar të nxirnim rezultate sa më pozitive, pasi saherë që futemi në ndeshje ne hyjmë për të marrë maksimumin, të marrim tre pikët”, shprehet Adenis Shala, i cili beson se skuadra e tii ka potencialin të kthejë gjërat në rrugë të mbarë, posaçërisht tani kur para vetes kanë derbin me rivalin për kreun e tabelës.

“Tani kjo ndeshja me Strugën vjen në momentin e duhur, sepse mendoj se do të jetë një ndeshje që do të tregojë se ne me të vërtetë kemi kualitet dhe unë besoj shumë te kjo skuadër që kemi. Mendoj se nëse secili nga ne do të japë 100% nga vetja, ne do të fitojmë ndeshjen në Strugë”,beson Shala. 

Kuqezinjtë të shtunën do të zhvillojnë seancën e fundit stërvitore, derisa pasdite udhëtojnë drejt Strugës për të pritur sa më të pushuar duelin e të dielës me Strugën. 

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Close