UEFA gjobit klubin turk për sjelljen e papranueshme të tifozëve, detyrohet të paguajë edhe dëmet

UEFA vendosi të gjobiste Galatasarayn me 51 mijë euro pas sjelljes së pahijshme të tifozëve të ekipit turk në fitoren (3-2) ndaj Manchester United, në “Old Traford”, në fazën e grupeve të Champions League, më 3 tetor.

Kampionët e Turqisë u ndëshkuan nga organi drejtues i futbollit evropian pasi 2 000 mbështetës të tyre patën akses në zonat e stadiumit të rezervuara për tifozët vendas. Galatasaray duhet të përballojë gjithashtu kostot që vijnë nga dëmi i shkaktuar nga tifozët e tij brenda stadiumit.

UEFA vendosi gjithashtu të dënojë klubin e Stambollit me ndalimin e shitjes së biletave për anëtarët për ndeshjet jashtë vendit (dënim për një ndeshje, por që pezullohet me kusht që të mos përsëritet për një periudhë dyvjeçare), për shkak të hedhjes së sendeve, mjeteve piroteknike dhe dëmtimit të shkaktuar nga tifozët.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Close