Arsimi i Çegranit duket se po shijon një vit shumë pozitiv. Sezoni debutues në Ligën e Dytë kaloi me sukses të kënaqshëm me çegranasit që nuk kishin fare brenga të mbijetesës, ndërsa ndërkohë në Zvicër mërgata e Çegranit e rethinës organizoi një super turne në futboll të vogël. Aktivitetet e Arsimit nuk u ndalën edhe pas përfundimit të sezonit garues 2022/2023 në Ligën e Dytë të Maqedonisë, pasi një pjesë e futbollistëve këto ditë kanë qëndruar në Gjermani, më saktësisht në afërsi të Frankfurtit.

KF Arsimi&Ardival ka fituar vendin e parë në turneun tradicional që organizohet çdo vit nga Xhamia Shqiptare “El Buhari” Somborn, ku gravitojnë numër bukur i madh i diasporës sonë.



26 ekipe të përbëra edhe me futbollistë e ish-futbollistë morën pjesë në këtë turne humanitar, ndërsa mjetet e grumbulluara shkojnë për pagesën e objektit të Qendrës Shqiptare Islame.
Arsimi ishte dominues prej fillimit e deri në fund të turneut, duke dalë kampion me një gol-diferencë impresive prej 22 golave të shënuar dhe vetëm 1 të pranuar. Shpërblimi i paraparë për fituesin e vendit të parë në këtë turne u dorëzuan te udhëheqësit e Xhamisë, me çka Arsimi kompletoi misionin në këtë turne.
Skuadrën e Arsimit e regjistroi kompania e njohur në Zvicër, “Ardival”, ndërsa në përbërje ishin portieri i Arsimit, Vullnet Islami, futbollistët Argjend Gafuri, Emir Asani, Burim Sadiki dhe Saimir Fetai të kombinuar çegranasit në diasporë Lulzim Aliu e Fati Bakiu, si dhe antarë të kryesisë së diasporës Sadam Saliu dhe Suad Alushi.

