Ndryshimet klimatike në planetin tonë janë gjithnjë e më evidente dhe domethënëse, me temperaturat mesatare që rriten vit pas viti dhe ngjarjet katastrofike që shkatërrojnë gjithnjë e më shumë zona të mëdha në pjesë të ndryshme të botës. Natyrisht e gjithë kjo varet në pjesën më të madhe nga njeriu dhe ndotja që ai prodhon. Për këtë arsye ka nga ata që propozojnë zgjidhje gjithnjë e më të gjelbra dhe një reduktim të pastër të emetimeve të CO2.

Pastaj ka nga ata që kanë praktikisht gjithçka në jetë, dhe për ta bërë jetën e tyre komode nuk kursehen. Fjala është për Leo Messin, i cili sipas një investigimi të L’Equipe, me udhëtimin e tij të shumtë ajror në vetëm tre muaj do të kishte lëshuar të njëjtën sasi CO2 që do të lëshonte një qytetar normal në 150 vjet! Dhe kritikat bien mbi argjentinasin…
52. Ky është numri i fluturimeve nga avioni privat i Lionel Messit në vetëm tre muaj, nga 1 qershori deri më 31 gusht. Dhe sipas L’Equipe, rreth 30 nga fluturimet e kryera nga avioni Flea ishin ndërkontinentale, nga të cilat 14 ishin transatlantike dhe shkaktuan nivele ekstreme të emetimeve të dioksidit të karbonit. Në fakt, shkarkimet totale të avionit do të ishin 1502 tonë, ekuivalenti i asaj që një qytetar normal do të krijonte në 150 vjet. Harta e publikuar nga gazeta franceze nxjerr në pah një sërë udhëtimesh midis Argjentinës dhe Shteteve të Bashkuara, 5 prej të cilave midis Buenos Aires dhe Majamit.
Lajmi vjen në një kohë kur çështja mjedisore ndihet dhe debatohet thellë, ka ngjallur shumë polemika sociale, veçanërisht te ambientalistët. Në këtë periudhë shumë qytetarëve të thjeshtë po u kërkohet të bëjnë më shumë për t’u kujdesur për planetin dhe me shumë gjasa njerëz si Messi, të cilët gëzojnë shikueshmëri të gjerë në shkallë globale, duhet të jenë të parët që do të japin shembull.

