Klubi i Hendbollit të femrave Çairi ka shënuar fitoren e 7-të në duelin e 8-të sezonal pasi në terren vendas mundën Feniksin me rezultat 44:38. Dueli i “çmendur” me numër rekord golash për kampionatin vendor në fund u fitua nga vashat e trajnerit, Basri Latifi që mbajnë hapin me liderin e renditjes Kumanovën. Ndeshja ishte e hapur që në fillim, me përjashtime të vogla kur njëra apo tjetra skuadër shkëputeshin në rezultat, pjesa më e madhe e fraksionit të parë luhej gol për gol dhe në pauzë rezultati ishte baraz 20:20.

Në pjesën e dytë vashat e Çairit vendosën dominim, avansonin vazhdimisht derisa arritën të shkëputen në rezultat dhe në fund mbyllën takimin me triumf 44:38. Më efikase te Çairi ishte Teodora Dukoska që shënoi 7 gola, ndërsa hendbollistja më e spikatur e takimit Emilijana Rizoska me 17-të gola nuk mundi të ndihmojë skuadrën e saj për të shmangur disfatën.

