Yasin Konyali: Do të kalojmë çdo pengesë, instalimi i VAR-it ka nisur në Çair 

Skuadra e Shkupit është në krizë të thellë që nuk është parë kurrë më parë. Për shkak mos arritjes të një zgjidhje për një stadium, ndeshja me Sileksin e paraparë për sot është anuluar dhe nuk luhet. Pas kaq shumë ndodhive në klub që nga fillimi i sezonit, është paraqitue me një letër zyrtare presidenti i klubit Yasin Konyali. Ai thotë se do të rregullohet gjithçka. Sipas tij sistemi VAR ka nisur të instalohet në Çair, teksa tregon edhe si është bërë “pishman” Bellasica për stadiumin, që u përfol njëherë se ndeshja Shkupi – Sileksi të luhet në Strumicë. 

Deklaratë Zyrtare!

Të nderuar tifozë,

Së pari, duam t’ju kërkojmë ndjesë të sinqertë të gjithë tifozëve tanë për vështirësitë e krijuara.

Dëshirojmë ta shpjegojmë situatën në mënyrë të qartë:

 • Ne kemi arritur marrëveshje me pronarët e stadiumit në Strumicë për të zhvilluar ndeshjen atje dhe kemi marrë miratimin e tyre me shkrim (mund ta shihni në fotografinë e bashkangjitur).

 • Menjëherë pas kësaj, kemi njoftuar Federatën e Futbollit të Maqedonisë (FFM), dhe ndeshja është regjistruar dhe konfirmuar zyrtarisht në sistem.

 • Fatkeqësisht, në momentin e fundit, pronarët e stadiumit e kanë tërhequr miratimin e dhënë, duke krijuar një problem të panevojshëm për klubin tonë.

Për këtë arsye, FC Shkupi do ta çojë çështjen në gjykatë dhe do të ndjekë të gjitha procedurat ligjore.

Sa i përket stadiumit tonë, punimet për instalimin e sistemit VAR tashmë kanë filluar. Ndeshjen e ardhshme në shtëpi e planifikojmë ta zhvillojmë në stadiumin tonë, përpara jush – tifozëve tanë të dashur.

Gjatë këtij procesi, kemi shpresuar që klubet në Maqedoni do të tregonin solidaritet dhe mirëkuptim, duke na lejuar të zhvillonim të paktën një ndeshje “në shtëpi” në stadiumin e tyre. Për fat të keq, nuk pamë një mbështetje të tillë; përkundrazi, rruga jonë u bë edhe më e vështirë.

Së fundi, kemi një thirrje për të gjitha partitë politike: Ju lutemi, mos e përdorni futbollin për fushatat tuaja politike dhe mos e pengoni sportin tonë. Futbolli u përket tifozëve, lojtarëve dhe klubeve – jo politikës. Na lejoni t’i përballojmë e t’i zgjidhim sfidat tona së bashku me tifozët tanë. Sepse FC Shkupi nuk është vetëm një klub – është familja jonë e madhe. Me tifozët tanë, krah për krah, ne do të kalojmë çdo pengesë dhe do të ecim përpara edhe më të fortë.

Ju falënderojmë për besimin dhe përkushtimin tuaj.

FC Shkupi

Yasin Konyali – President.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Close