
Klubi i Futbollit Rufeja nga fshati Miletinë i Tetovës sipas paralajmërimeve pritet të bëhet me stadium modern. Në fakt bëhet fjalë për një iniciativë të një grupi aktivistësh dhe kryesisë së klubit, për bashkim të forcave me diasporën e bizneset lokale, në drejtim të ndërtimit të një stadiumi që për nivel të fshatit, duhet të jetë diçka shumë e bukur. Terreni, tribunë me disa shkallë e rrethim të ri parashihet në projektin që pritet të kushtojë deri 100 mijë euro.

“Kemi bërë matjet e terrenit dhe hapsirës për rreth stadiumit dhe ndërmjet 15 e 20 shkurtit pritet të nisin punimet e fazës së parë. Do të jenë disa faza, si terreni, tribuna dhe rrethimi i stadiumit. Deri 100 mijë euro besojmë të jetë kostoja e projektit që do të mbështetet nga mërgimtarët tanë kryesisht në Zvicër ku kemi shumë bashkëfshatarë, por pa përjashtuar edhe vendet tjera si Gjermania, Danimarka, Norvegjia e Austria”, shprehet për Sportmania, drejtori i KF Rufeja, Namik Ajrullai, duke shtuar se kanë premtime për mbështejte edhe nga vetëqeverisja lokale dhe bizneset nga fshati.
“Duhet të shtojmë se edhe bizneset lokale na kanë premtuar mbështetje, ashtu si dhe Komuna jonë. Ka paralajmërime për ndihmë edhe nga një fonacion, nga i cili së shpejti presim zyrtarizim. Besojmë së shpejti klubi dhe fshati të kenë një stadium dinjitoz e me këtë sigurisht se pritet ngritja e klubit në nivel më të lartë dhe rritje e interesit nga të rinjtë”, përfundoi Ajrullai.