Mediat në Shqipëri hedhin vëmendjen drejt Ditmir Hoxha-s, 17-vjeçarit me karakteristikat e  Haalandit 

Edhe pse akoma nuk ka mbëritur nivelin e shkëlqimit të pritur, për të tashmë kanë nisur të flasin edhe në Shqipëri.

Quhet Ditmir Hoxha, është vetëm 17 vjeç dhe aktualisht po tërheq vëmendje të madhe në futbollin e Maqedonisë së Veriut. Sulmuesi i ri është pjesë e Rabotniçkit në elitën e futbollit vendor, ndërsa mediat e kanë vendosur në “piedestal”, duke e cilësuar si një nga talentet më premtuese në historinë e futbollit tonë.

Me një gjatësi 191 centimetra, Hoxha spikat për kombinimin e forcës fizike me teknikën, qetësinë me topin në këmbë dhe aftësinë për të depërtuar në zonën kundërshtare. Ata që e njohin e përshkruajnë si një finalizues natyral, duke e krahasuar stilin e tij të lojës me Erling Haaland.

Gjithë këto karakteristika po zgjojnë interes në plan afatgjatë nga Shqipëria. Edhe pse akoma i ri në moshë dhe me shumë rrugë para vetes për të kaluar, strugani tashmë zgjon interes për kombëtaren që do të përfaqësojë. Natyrisht, ai luan me moshat e Maqedonisë së Veriut. 

Por lidhja me Shqipërinë është e qartë. Ditmir Hoxha ka lindur në Strugë dhe ka rrënjë shqiptare, çka i jep të drejtën të përfaqësojë në të ardhmen Kombëtaren shqiptare, nëse një zgjedhje e tillë do të konkretizohet.

Për momentin, 17-vjeçari është pjesë e përfaqësueses U-19 të Maqedonisë së Veriut, ndërsa mbetet për t’u parë se si do të evoluojë karriera e tij dhe cili do të jetë vendimi për fanellën që do të mbajë në arenën ndërkombëtare.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Close