E ardhmja e stolit të Barçës nuk është mjaft e qartë për një kapitull të ri, pasi Joan Laporta vazhdon të insistojë se Xavi është ai që do ta ketë votëbesimin e tij deri në momentin e fundit. Në fakt, kreu i klubit katalanas insistoi edhe një herë se do të dëshironte që trajneri nga Egarense ta kthente mbrapsht vendimin e tij për ta braktisur skuadrën në fund të sezonit, teksa ka ende marrëveshje deri në vitin 2025.

Kështu është shprehur Laporta në një intervistë për “Mundo Deportivo”, ku ka sqaruar se do të presë deri në fund të sezonit për të kërkuar një zëvendësues, me shpresën se Xavi mund të ndryshojë mendim: “Ai e di tashmë mendimin tim, do të më pëlqente që të vazhdonte në stolin e Barcelonës. Trajneri tha se do të tërhiqej në fund të sezonit, e bvëri këtë në një moment të madh presioni, por e tillë është Barcelona. Cilido prej nesh është në presion të përditshëm, duhet të krijojmë përvojë dhe imunitet nga kjo gjë”.
Laporta e ka të qartë se do të respektojë dëshirën e Xavit: “Unë i thashë nëse kishte mundësi që të ndryshonte mendim, por e pashë me një presion të pakapërcyeshëm, që i dukej në fytyrë. Xavi i qëndron asaj që ka thënë, se do të largohet në fund të sezonit, por tashmë do të shohim. Nuk kemi pse e ngarkojmë veten me një presion të tillë, sepse për momentin kjo formulë po funksionon”.
Presidenti blaugrana gjithashtu ka qenë shumë i qartë për çështjen e drejtimit teknik: “Tashmë e kam thënë se trajnerët duan të vijnë të gjithë te Barça, të paktën unë marr propozime nga të gjitha palët. Personalisht i kam thënë Xavit: Ne e respektojmë faktin që do të jeni deri në fund të sezonit. Ky ka qenë vendimi juaj. Meqenëse e thatë tashmë atë, ju po flisni më mirë me fitpre. Le t’ia shkelim syrin njëir-tjetrit, sepse këtu mund të ndodhë diçka”.
Në lidhje me interesimin e Barcelonës për trajnerë të tjerë, veçanërisht për Luis Enrique dhe Hansi Flick, Laporta nënvizoi: “Asturiani është një person dhe trajner shumë i mirë, ka karakter, personalitet. Sidoqoftë, nuk kemi folur me Luis Enrique dhe askënd tjetër, nisur nga respekti që kemi për Xavin.
Unë them se ai që dëshiron të vijë te Barça do të duhet të presë deri në fund të sezonit. Ne nuk merremi fare me këtë çështje derisa Xavi të marrë vendimin përfundimtar, shpresojmë të ndryshojë mendje. Duhet të ndjekim rrugën tonë dhe të jemi koherent me këtë formulë që kemi miratuar, e cila për momentin po funksionon”.

