Përfaqësuesja e Kosovës ka pësuar humbje në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë nga Greqia me rezultat 1:2, në ndeshjen e dytë të vlefshmë për edicionin e ri të Ligës së Kombeve.

Greqia e nisi më mirë takimin, duke realizuar me anë të Dimitrios Limnios (3′).Në pjesën e parë, Kosova huqi një rast të artë me anë të Arbër Zenelit, teksa vetëm pak çaste më pas Atdhe Nuhiu provoi me kokë. Në fundin e pjesës së parë, rrezikoi me një goditje Ibrahim Dresevic e Besar Halimi.
Por me të nisur 45 minutëshi i dytë, ‘Dardanët’ sërish pësuan gol. Kësaj radhe falë një përgjumje të mbrojtjes, ku këtë e shfrytëzoi mbrojtësi Siovas (51′) që dyfishoi epërsinë.
Kosova provoi me çdo gjë të ngushtonte rezultatin, por këtë nuk e arriti tek në minutën e 82′ kur Bernard Berisha (81′) realizoi një gol mjaft të bukur – por festimi i tij drejtuar Bernard Challandes ishte padyshim i turpshëm.
Deri në fund, skuadra e drejtuar nga Challandes kërkoi golin e barazimit por nuk e gjeti falë një mbrojtje të ngjeshur të Greqisë.
Greqia merr pozitën e parë në grup me 4 pikë, ndërsa Kosova në vendin e tretë tubon një pikë.

