Formula 1/ Norris siguron ‘pole position’ në shtëpinë e Verstappenit

Piloti britanik i McLaren, Lando Norris, siguroi “pole position” sot pasdite në pistën e Zandvort, i vlefshëm për Cmimin e Madh të Holandës në Formula 1. 

Ai dha kohën 1’09”673, duke qenë më i shpejti në pistë.

Një dominim i makinës britanike, që vendosi në vendin e tretë edhe pilotin tjetër të saj, Oscar Piastri.

Mes dy makinave McLaren u rendit piloti vendës Max Verstappen me Red Bull (i dyti), që zhgënjeu disi para fansave të tij.

Për Norris ky është “pole position” nr.4 në karrierë, duke konfirmuar momentin e mirë që kalon McLaren.

Në vendin e katërt u rendit britaniku George Russell me Mercedes, që la pas meksikanin Sergio Perez me Red Bull (i pesti).

Vetëm i gjashti Charles Leclerc me Ferrari, gati 8 të dhjetat më i avashtë se Norris, ndërkohë që në “top-10” më të mirët u renditën edhe Fernando Alonso, Alexander Albon, Lance Stroll e Pierre Gasly.

Zhgënjyen në këto prova zyrtare Lewis Hamilton me Mercedes, që u rendit në vendin e 12-të.

Dobët doli edhe Carlos Sainz me Ferrari, në vendin e 11-të.

Të dielën në orën 15:00 do të zhvillohet gara e Holandës.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Close