Sulmuesi i ri nga Cërnilishtja e Prilepit, Zani Nazifi, është pranë një hapi të rëndësishëm në karrierën e tij. Vetëm pak orë pasi njoftoi largimin nga KF Shkëndija Haraçinë 77, me të cilën shkroi histori duke siguruar inkuadrimin në Ligën e Parë të Maqedonisë së Veriut, SPORTMANIA mëson ekskluzivisht se destinacioni i tij i ri pritet të jetë Superliga e Kosovës, gjegjësisht skuadra e Llapit nga Podujeva.

21-vjeçari është produkt i shkollës së futbollit të Shkëndijës së Tetovës, ndërsa ka regjistruar edhe debutimin me ekipin e parë kuqezi. Gjatë karrierës së tij ka qenë pjesë edhe e Besës së Dobërdollit dhe FC Shkupit, ndërsa pranverën e fundit e kaloi te Shkëndija e Haraçinës, ku u shndërrua në një nga protagonistët e suksesit historik të klubit.
Nazifi realizoi gola me peshë në rrugëtimin drejt elitës, duke tërhequr vëmendjen me paraqitjet e tij pozitive. Pikërisht forma e mirë e shfaqur në muajt e fundit duket se i ka siguruar transferimin e parë jashtë kufijve të vendit.
Nëse gjithçka shkon sipas planit, Llapi do të jetë stacioni i radhës në karrierën e sulmuesit të ri, i cili synon të vazhdojë ngritjen dhe të dëshmojë vlerat e tij edhe në futbollin kosovar.

