
Arbin Zejnullai nuk do të jetë i gatshëm për Egnatian në ndeshjen e parë të turit të dytë në Conference League. Kampionët e Shqipërisë do të sfidojnë islandezët e Vikingurit.
Takimi i parë do të zhvillohet në transfertë (25 korrik), ndërsa ai i kthimit një javë më vonë në Shqipëri (1 gusht).
Mesfushori tetovar, i cili u ndëshkua me karton të kuq në ndeshjen e parë kundër Borac Banja Luka në Champions, është bërë subjekt i Komisionit të Disiplinës së UEFA-s.
Dhe është dënuar me 2 ndeshje pezullim. 25-vjeçari e shleu një ndeshje pezullim në sfidën e kthimit kundër kampionëve të Bosnjës në “Elbasan Arena”.
Zejnullai nuk do të jetë nën urdhrat e trajnerit Edlir Tetova as për duelin e parë kundër Vikingurit, që do të luhet në Rejkjavik, kryeqytetin e Islandës.
Një humbje e madhe për Egnatian, që nuk do të ketë pjesë të skuadrës një prej elementëve më të rëndësishëm. Dhe një prej më të dalluarve në edicionin e fundit.
Sezon që rezultoi historik për rrogozhinasit, të cilët fituan titullin kampion (për herë të parë në histori) dhe Kupën e Shqipërisë.
Lajmi i mirë është rikthimi i Edison Ndrecës. Anësori i majtë, gjithashtu i ndëshkuar me karton të kuq në Bosnje (dy të verdhë) e ka shlyer pezullimin. Dhe është gati të japë kontributin e tij në takimin e radhës.
Rikthimi i tij gëzon teknikun Tetova, i cili mund të bazohet te shërbimet e “raketës” së krahut në një përballje tepër të rëndësishme.
Kampionët e Shqipërisë do të tentojnë kualifikimin dhe zgjatjen e aventurës ndërkombëtare. Objektivi i madh është pjesëmarrja në grupet e Conference League.