Në podkastin sportiv “Pressing” të mediumit maqedonas Ekipa, ish-sulmuesi legjendar i Maqedonisë, Darko Pançev, ka reaguar ndaj debatit të përsëritur rreth moskëndimit të himnit nga disa futbollistë të përfaqësueses maqedonase, veçanërisht ata shqiptarë.
Në diskutim me të ftuarin e tij Goran Popov, Pançev theksoi se përkushtimi dhe performanca në fushë janë shumë më të rëndësishme sesa këndimi i himnit para ndeshjeve.
“Absolutisht nuk duhet të shqetësohemi se kush e këndon himnin dhe kush jo. Ky nuk është një faktor i rëndësishëm në sport. Unë vetë kam qëndruar dhjetëra herë para himnit ish-jugosllav dhe rrallë e kam kënduar. Po tani çfarë? Dikush do të duhej të më gjykonte për këtë? Kjo është marrëzi!
E rëndësishme është kush jep gjithçka në fushë për atë fanellë dhe kush e do ekipin përfaqësues. Kjo ka vlerë”, tha Pançev, fitues i “Këpucës së Artë” në vitin 1991.
Deklarata e tij vjen në një kohë kur emri i Enis Bardhit, kapitenit të Maqedonisë së Veriut, shpesh është përmendur për të njëjtën çështje, ndonëse ai ka qenë ndër lojtarët më vendimtarë dhe të përkushtuar në fushë gjatë viteve të fundit.
Edhe ish-mbrojtësi Goran Popov ndau të njëjtin qëndrim, duke mbështetur idenë se respekti për fanellën e përfaqësueses matet me sakrificën dhe kontributin në lojë, jo me simbolet jashtë saj.
Një mesazh i qartë nga “Këpuca e Artë” e Maqedonisë: patriotizmi i vërtetë shihet në fushë, jo në himn.
