Anthony Joshua zbulon planin për t’u tërhequr nga boksi

Anthony Joshua ka lënë të kuptohet se karriera e tij në boks mund të përfundojë brenda këtij viti. 35-vjeçari britanik nuk është ngjitur më në ring që prej humbjes së rëndë ndaj Daniel Dubois, kur u nokautua në raundin e pestë në Wembley, shtatorin e kaluar.

Pas asaj disfate, Joshua iu nënshtrua një operacioni në bërryl, çka e ka mbajtur jashtë ringut për muaj të tërë. Deri tani ai nuk ka një kundërshtar të konfirmuar, megjithëse promotori i tij, Eddie Hearn, ka zhvilluar bisedime mbi mundësinë e një dueli të bujshëm me YouTuber-in e kthyer në boksier, Jake Paul.

Ndërkohë, tifozët presin ende një përballje historike mes Joshuas dhe Tyson Furyt. Ky i fundit, pas humbjes së revanshit kundër Oleksandr Usyk muajin e kaluar, njoftoi tërheqjen e tij nga sporti. Një përballje mes dy britanikëve do të ishte një nga ndeshjet më të mëdha në historinë e peshave të rënda.

Megjithatë, Joshua ka lënë të kuptohet për një fund të afërt të karrierës. Në një postim në Instagram, ai falënderoi Matchroom Boxing për mbështetjen që nga debutimi i tij në vitin 2013, duke theksuar se “grushti i tij i fundit” do të hidhet këtë vit. “Një falënderim për gjithçka që keni bërë për mua. Mbretëro për një kohë të gjatë supreme dhe jep u mundësi të tjera boksierëve”, shkroi Joshua.

Ai kujtoi 12 vitet e bashkëpunimit me Matchroom, duke e quajtur kombinimin mes mbretërisë dhe besnikërisë një formulë perfekte. “Një dolli për 100 vitet e ardhshme të Matchroom Boxing. Nëse do të filloja nga e para, nuk do të ndryshoja asgjë”, shtoi ai, duke lënë hapur idenë e një pensionimi të afërt.

Nga ana tjetër, promotori Eddie Hearn konfirmoi pas ndeshjes Usyk–Dubois se Joshua është i gatshëm të përballet me Jake Paul, nëse ky i fundit e mban fjalën. “Nëse ata e duan vërtet, ndeshja do të ndodhë. Dhe besoni, kjo do të ishte një përballje që sjell shifrat më të mëdha në sport”, deklaroi ai.

Hearn nuk kurseu paralajmërimet ndaj Paul-it, duke theksuar rrezikun e madh që mbart një duel me një kampion të kalibrit të Joshuas. “Kjo nuk është lojë, nuk është video në YouTube apo algoritme. Është fizikisht e rrezikshme. Nëse e dëshironi, kini kujdes se çfarë kërkoni”, theksoi ai.

Promotori britanik përmendi edhe Francis Ngannoun, duke thënë se ai do ta shkatërronte Jake Paulin në ring. “Por nëse Jake është gati të hedhë zarin, ne jemi gati. Thjesht duhet të kuptojë pasojat e një lufte të tillë”, përfundoi Hearn. /Telegrafi/

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Close