Në Itali ka tashmë dy tabore të ndryshme sa i përket qëndrimeve mbi situatën aktuale të futbollit italian.

Përhapja e pandemisë Covid-19 ka bërë që sezoni të suspendohet, njësoj si në shumë liga të tjera nacionale. Tashmë, ka disa që mendojnë se duhet kthyer në fusha të blerta, kurse disa të tjerë janë kundër.
Por, presidenti i FIGC, Gravina, është në mesin e atyre që dëshiron rikthimin në fusha të blerta. Madje, ai thotë se nuk dëshiron që të jetë përgjegjës për vdekjen e futbollit italian.
“Aktualisht ka dy grupe: Ata që besojnë se sporti duhet anulohet dhe ata që dëshirojnë të vazhdojnë, të cilit i takoj edhe unë”, ka thënë Gravina fillimisht, transmeton lajmi.net.
“Nuk mund të jem ai që varros futbollin italian. Kam përgjegjësinë për të mbrojtur futbollin dhe sportin”, ka shtuar presidenti i federatës italiane të futbollit.
“Ne nuk jemi të shqetësuar pse nuk fillojmë sot, por jemi të shqetësuar për pasojat që mund të ketë futbolli në të ardhmen, nëse nuk rifillojmë”, ka thënë ndër të tjerash Gravina.
Aktualisht, në Serie A prinë skuadra e Juventus, me një pikë më shumë se Lazio, pas 26 ndeshjeve të luajtura. /Lajmi.net/

