Seleksionuesi i Kombëtares së Shqipërisë, Edoardo Reja ka publikuar listën me 28 futbollist që do ti llogaritë për tre ndeshjet eliminatore të këtij muaji në kuadër të Botërorit Katar 2022. Risi në listën e Rejës është futbollisti tetovar që luan në radhët e Empolit, Nedim Bajrami, për të cilin u përfol shumë dhe tashmë është grumbulluar për herë të parë. Bekim Balaj dhe Armando Sadiku janë dy nga emrat e mëdhenj të kuqezinjve, të cilët janë lënë jashtë këtij grumbullimi, por është rikthyer pas disa kohësh Arlind Ajeti. Rrugëtimi i kuqezinjve në këto eliminatore do të nisë nga Barcelona kur do të përballen me Andorrën me 25 mars, ndërsa tre ditë më vonë do të përballen me Anglinë në “Air Albania” dhe ndeshjen e fundit për këtë muaj e luajnë ndaj San Marinos.




