Mbrojtësi Klisman Cake ka mbyllur aventurën e tij me Shkëndijën, duke u transferuar te klubi rus Akhmat Grozny, i cili ka aktivizuar klauzolën e largimit të futbollistit.


Shkëndija ka respektuar dëshirën e lojtarit për të provuar një sfidë të re ndërkombëtare, duke bashkëpunuar në realizimin e transferimit dhe duke përfituar një dëmshpërblim financiar. Ky largim vjen si shembull korrektësie, pasi Cake verën e kaluar, pas titullit kampion, kishte mundësi të largohej si lojtar i lirë, por zgjodhi të rinovojë edhe për një sezon tjetër, duke kontribuar në suksesin historik evropian të kuqezinjve.
Cake iu bashkua Shkëndijës në janar të vitit 2022 nga rradhët e Strugës dhe gjatë katër viteve e pesë sezoneve jo të plota regjistroi 133 paraqitje zyrtare, duke shënuar 12 gola, si dhe fitoi titullin kampion. Ai mbetet pjesë e gjeneratës historike që siguroi kualifikimin në fazën kryesore të UEFA Conference League.
Një kapitull i mbyllur me dinjitet për të dyja palët dhe një hap i rëndësishëm në karrierën e mbrojtësit shqiptar.

