Me duelin Arsimi – Pelister, që do të luhet në Gostivar, mbyllet pjesa e parë e kampionatit tonë të futbollit. Para ndeshjes, futbollisti i Arsim-it, Rinor Ajdini, i shpalosi pritshmëritë dhe apelin e tij drejtuar tifozëve.


Ajdini theksoi rëndësinë e duelit dhe motivimin brenda radhëve të Arsimit:
“Ky takim është jashtëzakonisht i rëndësishëm për ne. Jemi në një moment pozitiv pas fitoreve kundër Shkëndijës dhe para disa ditësh kundër Sileksit në Kratovë, por ato fitore marrin vlerë të plotë vetëm nëse arrijmë të triumfojmë edhe në këtë ndeshje. Duhet të hyjmë të përqendruar dhe pa nënvlerësim, sepse Pelisteri di të jetë i rrezikshëm.”
Ai shtoi se ekipi dëshiron ta mbyllë pjesën e parë të sezonit në mënyrën më të mirë të mundshme:
“Qëllimi ynë është i qartë: ta përfundojmë pjesën e sezonit me fitore. Kemi punuar shumë dhe besojmë në forcat tona. Shpresojmë që tifozët të jenë me ne, sepse mbështetja e tyre na jep energji shtesë.”
Ndeshja e javës së 16-të mes Arsimitdhe Pelisterit do të zhvillohet me fillim nga ora 13:00 në stadiumin e qytetit në Gostivar.


