Detyra për të pasuar Diego Simeonen te Atletico Madrid do të jetë jashtëzakonisht e vështirë, për këdo që do t’i bjerë barra.

Bordi në “Metropolitano” do të duhet të gjejë jo vetëm një trajner të aftë për ta përballuar detyrën në letër, por edhe dikë që do të pranohet nga tifozët pas zëvendësimit të një legjende të gjallë.
Aktualisht ka pak diskutime për largimin e Simeones, sidomos pas fitores bindëse 5-2 ndaj Real Madridit në fund të shtatorit, por në një moment klubi do të duhet ta hapë këtë çështje.
“El Cholo” ka kontratë deri në vitin 2027 dhe ka theksuar se është i kënaqur në klub për momentin.
Sipas “ESPN Brasil”, nëpërmjet “Diario AS”, agjenti Jorge Mendes tashmë ka në mendje një zëvendësues për Simeonen.
Plani i tij është që ish-mbrojtësi i majtë i Atleticos, Filipe Luis, të ulet në stolin e “Metropolitanos” për të marrë drejtimin e skuadrës.
Ish-lojtari i Chelseat dhe Deportivo La Coruñas është vlerësuar për punën e tij te gjiganti brazilian, Flamengo dhe do të preferonte një rikthim tek Atletico përpara çdo oferte tjetër të mundshme.
Ai mund të jetë një nga të paktët emra që do të pranohej nga tifozeria, duke qenë se ishte shumë i dashur si lojtar.
Sigurisht, Filipe nuk është emri i parë që përmendet si pasues i mundshëm i Simeones.
Para rinovimit të fundit të kontratës së tij, disa emra dolën në skenë si kandidatë të mundshëm.
Në të njëjtën linjë me Filipen ishin ish-kapitenët Gabi dhe trajneri i ekipit të dytë, Fernando Torres, megjithëse i pari ka rënë nga diskutimet pas periudhës së pasuksesshme te Real Zaragoza.
Ndër kandidatët “të jashtëm” përfshiheshin trajneri i Villarrealit, Marcelino Garcia Toral, i cili ka një rekord të fortë në La Liga gjatë dy dekadave të fundit, si dhe Luis Enrique i Paris Saint-Germainit, i cili në atë kohë kishte shumë mbështetës brenda klubit.
Që prej asaj kohe, disa ndryshime janë bërë në drejtimin e klubit – Carlos Bucero ka marrë detyrën e Drejtorit të Futbollit, ndërsa Mateu Alemany është emëruar Drejtor Sportiv, duke zëvendësuar Andrea Bertën./GazetaExpress/

