Skuadra shkupjane ka luajtur takim kontrollues në fazën përgatitore në Antalia të Turqisë, duke u mundur minimalisht 1:0 nga ekipi i Republikës Çeke, Karvina. Goli i vetëm i ndeshjes erdhi në minutën e 80 nga një penallti.

Sipas raportit të faqes së Shkupit, ekipi nga Çairi ka luajtur mirë në pjesën e parë dhe kishte disa raste të mira për të shënuar.
Në pjesën e dytë, trajneri Zhizhoviç, bëri disa ndryshime dhe ju dha rastin shumë futbollistëve të rinj që vijnë nga akademia e ekipit dhe ata të cilët sapo janë grumbulluar, siç janë Guxhufi, Gronner dhe Ansah. Portieri i dytë Denkovski bëri disa ndërhyrje të mira, por nuk mundi të ndalonte penalltinë në minutën e 80-t kur i saktë u tregua Budínsky.
Ndeshjen e radhës në tokën turke Shkupi do ta zhvillojë me 31 janar përballë ekipit polak, Ruch Chorzow.

