Shkëndija në të mirë e në të keq, paraqet emocion të pashoq për tetovarët e më gjërë. Nga 1979 e deri tani klubi ka kaluar situata nga më të ndryshmet, derisa dashamirët shtohen si kalojnë vitet dhe me rritjen e Shkëndijës, sukseset e kuqezinjëve në mënyrë të veçantë i përjetojnë gjeneratat e para, ata që praktikisht vendosën themelet e krenarisë tetovare.

E enjtja ishte moment i ri i Shkëndijës në Europë. Kuqezinjtë pa fat u eliminuan me penalti nga AIK-u i Suedisë. Tifozeria e shijoi këtë duel dhe duke qenë se edhe disa ditë pas takimit emocionet akoma janë të pranishme, vëmendje të veçantë meriton një detaj interesant.
Të enjten në tribuna u pa Ymer Reka. Sekretari i parë i KF Shkëndija dhe një prej themeluesit e klubit në vitin 1979. Kontribues i madh në “mbjelljen e farës” që 3-4 dekada më vonë paraqet më shumë se sa një klub futbolli jo vetëm për Tetovën.
Reka kthehet në tribunë pas plotë 28 viteve. Nga ndeshja legjendare me Fortunën e Hasanbegut në Tetovë në vitin 1994, Ymer Reka do të tërhiqej i ndikuar nga zhvillime të caktuara në klub dhe pas 28 viteve të enjten kthehet të ndjek “live” Shkëndijën në duelin europian me AIK-un e Helsinkit. Emocion i paparë dhe rikthim prapa në kohë duke ringjallur kohën e vjetër kur Shkëndija e sotme që me krenari paraqitet në Europë, asokohe problem kishe ekzistencën e mbijetesën jo vetëm ekonomike, por edhe të presioneve të ndryshme nga sistemi i atëhershëm.
“Për mua paraqet emocion të veçantë të shoh Shkëndijën në Europë. Eh si ndryshojnë kohërat! Kjo Shkëndijë dallon shumë nga ajo e fillimeve. Derisa sot luajmë në Europë në fillim ne grumbullonim para duqan në duqan nga bizneset private për të mbijetuar. Shteti gjithnjë shfaqej me obstruksionet e veta në mënyra të ndryshme, Federata gjithashtu, ndërsa arbitrat gjithmonë i kishim kundër. Në anën tjetër nuk kishte më kënaqësi kur njerëz të bizneseve futeshin në rradhë për të pritur rend për të paguar darka për futbollistët ditën e ndeshjeve apo pas lojave. Ishin kohëra të rënda!…”, kujton me nostalgji Ymer Reka fillimet e Shkëndijës që sot është bërë ekip simbol jo vetëm për Tetovën, por edhe shumë më gjërë.

