Asociacioni i Lojtarëve në Itali: Reduktimi në paga i papranueshëm

Përhapja e pandemisë Covid-19 ka bërë që sporti të suspendohet, njësoj si shumë sfera të tjera, duke bërë kështu që rreziku për dëme ekonomike të jetë i madh.

Nëpër liga të ndryshme paralajmërohen humbje të mëdha. Si shembull mund të përdoret Bundesliga, ku skuadra si Bremen e Leipzig paralajmërojnë humbje që kalojnë shifrën e 20 milionëve.

Duke pasur parasysh këto, skuadrat evropiane po kërkojnë nga lojtarët pajtueshmëri për reduktim në paga. Në Itali, Asociacioni i Lojtarëve është kundër kësaj mundësie dhe e shohin si të papranueshme.

“Ne nuk mund ta kuptojmë pse kjo situatë ka rënë menjëherë dhe ekskluzivisht në pozicionin e lojtarëve”, thuhet në një deklaratë të AIC, transmeton lajmi.net.

“Mendimi primar ishte që, në mënyrë të pajustifikueshme dhe të paligjshme, të sakrifikojmë para së gjithash lojtarët amatorë meshkuj dhe femra. Pagat u reduktuan në mënyrë arbitrare dhe në disa situata lojtarëve u kërkohej të pushonin në aparmentetet e tyre, pa marrë parasysh që shpesh aktiviteti sportiv amator ndihmon për të mbajtur familje të tëra”, thuhet tutje.

“Kjo është arsyeja pse situata është e papranueshme dhe ne kemi nevojë për një ndërhyrje vendimtare dhe thelbësore nga të gjithë përbërësit, duke parë që sot ne po luftojmë së bashku për të njëjtin rezultat”.

“Situata është shumë serioze, lojtarët rrezikojnë të mos pranojnë paga nga marsi deri në shtator/tetor, dhe kushdo që mendon se mund të balancohet me lojtarët amatorë, nuk e kupton gjendjen sportive, ekonomike dhe mbi të gjitha sociale të këtyre burrave dhe grave”, thuhet ndër të tjerash në komunikatën e AIC.

Reagime nga AIC ka pasur edhe më herët, me kryetarin Damiano Tommasi që ishte nga më të zëshmit. /Lajmi.net/

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Close