Tetovari Memed Memedi shpallet çiklisti i dytë më i mirë i vitit 2025 në RMV 

Çiklisti nga Tetova, Memed Memedi, është ranguar si çiklisti i dytë më i mirë në nivel republikan për vitin 2025, duke kurorëzuar një rrugëtim sportiv të ndërtuar mes lëndimeve të rënda, rehabilitimit dhe përkushtimit të vazhdueshëm, shkruan Nistori.

Sporti ka qenë pjesë e jetës së Memedit që në moshë të re. Fillimisht u mor me futboll, por një dëmtim serioz në gju, këputje e ligamentit dhe meniskut, ia ndërpreu karrierën. Pas rikthimeve të parakohshme dhe rilëndimeve, ai kaloi vite të tëra me dhimbje, operacione dhe rehabilitim, pa u dorëzuar nga aktiviteti fizik.

Në moshën 23-vjeçare, me ligament të këputur, Memedi për Nistorin tregon se si filloi të merrej me çiklizëm, fillimisht si formë rehabilitimi. Bashkë me shokët e tij themeloi Phoenix Cycling Team, klub me synim promovimin e sportit të çiklizmit në Tetovë. Që në garën e parë shtetërore me këtë ekip, Memedi arriti podiumin, duke u renditur i treti.

Pas dy vitesh garimi me Phoenix, ai iu bashkua klubit MVK Veles, ku vazhdon të garojë edhe sot. Me këtë klub ka marrë pjesë në gara kombëtare dhe ndërkombëtare, duke regjistruar podiume të shumta dhe përfaqësime jashtë vendit, përfshirë Tour-in e Shqipërisë, garën ballkanike në Edirne të Turqisë, si dhe gara në Bullgari dhe vende të tjera.

Sezoni 2025 rezultoi më i suksesshmi në karrierën e tij, duke u shpërblyer me renditjen si çiklisti i dytë më i mirë në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Sipas Memedit, sukseset janë arritur kryesisht në kushte minimale, falë disiplinës, përkushtimit dhe punës së pandërprerë. Ndryshe, Memedi, në nivel ballkanik, ka arritur njëherë vendin e 7-të si çiklist.

Një rol të rëndësishëm në këtë rrugëtim ka pasur trajneri i tij, Jusuf Lazami, të cilin Memedi e falënderon për profesionalizmin, njohuritë në çiklizëm dhe nutricion, si dhe për mbështetjen e vazhdueshme.

Memedi thekson se çiklizmi jo vetëm që ia lehtësoi rikuperimin pas operacionit të dytë, por i dha edhe bazën fizike për të ndërtuar një karrierë konkurruese. Mesazhi i tij është i qartë: secili duhet të gjejë sportin që i përshtatet trupit dhe ta ndjekë me disiplinë, sepse lëvizja është e domosdoshme për shëndetin fizik, mendor dhe shoqëror.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Close