Luciano Spalletti është aktualisht favoriti kryesor për t’u bërë trajneri i ri i Juventusit, pas shkarkimit të Igor Tudor, ndërsa tashmë ka nisur komunikimi i drejtpërdrejtë mes palëve. Por si do të dukej skuadra bardhezi nën drejtimin e ish-trajnerit të Napolit dhe Italisë?
Juventusi konfirmoi të hënën largimin e Igor Tudor nga posti i trajnerit, pas një serie prej tetë ndeshjesh pa fitore në Serie A dhe Ligën e Kampionëve. Bardhezinjtë gjithashtu nuk kishin shënuar gol në katër ndeshjet e fundit, ndërsa fitorja e fundit daton që nga 13 shtatori, kur mposhtën Interin 4-3 në “Derby d’Italia”.
Në mesin e emrave që janë lidhur me stolin torinez janë edhe Raffaele Palladino dhe Roberto Mancini, por Spalletti shihet si opsioni më serioz, dhe tashmë ka pasur kontakte të drejtpërdrejta me drejtuesit e klubit.
Spalletti ka eksperimentuar me disa skema taktike gjatë karrierës së tij, si me kombëtaren italiane, ashtu edhe me Napolin dhe Interin.
Së fundi, me Italinë ai ka përdorur një 3-5-1-1, duke u përshtatur me mungesën e sulmuesve të natyrshëm, por me një mesfushë të mbushur. Në EURO 2024, ai përdori edhe 4-2-3-1 dhe 4-3-3, ndërsa me Napolin kampion në sezonin 2022/23, u shqua me 4-3-3 të ndërtuar rreth Victor Osimhen dhe Khvicha Kvaratskhelia.
Me Interin, Spalletti zakonisht përdorte 4-2-3-1, një sistem që mund të përshtatet shumë mirë edhe me lojtarët aktualë të Juventusit.
Nën drejtimin e Tudor, Juventus shpesh luante me mbrojtje me tre, por dëmtimi i Gleison Bremer ka kufizuar zgjedhjet në qendër të mbrojtjes, ndaj një katërshe klasike në prapavijë duket më logjike.

Në mesfushë, Manuel Locatelli dhe Khephren Thuram mund të formojnë një dyshen mbrojtëse, ndërsa për rolin e numrit 10 do të ketë konkurrencë të fortë mes Kenan Yildiz, Jonathan David dhe Teun Koopmeiners, secili me profile të ndryshme sulmuese. Edon Zhegrova do të duhet të luftojë me Conceicao për vendin e sulmuesit të djathtë.
Formacioni i mundshëm i Juventusit nën Spallettin
(4-2-3-1): Di Gregorio; Joao Mario, Kalulu, Bremer, Cambiaso; Locatelli, Thuram; Conceicao, David, Yildiz; Vlahovic.
Nëse marrëveshja finalizohet, Luciano Spalletti pritet të sjellë në Torino stil ofensiv, presion të lartë dhe lëvizje dinamike, ashtu siç bëri me Napolin kampion të Italisë./Telegrafi/
