Shkupi fiton Sileksin falë Besar Isenit

FC Shkupi ka shënuar fitore minimale, por shumë të vlefshme në përballjen e parë të javës së 10-të kundër Sileksit, duke marrë përkohësisht kryesimin në renditjen tabelare.

Skuadra e trajnerit Umit Karan shënoi fitore minimale 1:0, falë golit të shënuar nga Besar Iseni në minutën e 54-të.

Kapiteni i “bardhekaltërve” nga Çairi shfrytëzoi në maksimum gabimin e mbrojtësit Karçevski, i cili në tentativë për të kthyer një top për portierin Bozhinovski, gaboi duke i dhënë mundësinë Isenit për të shënuar golin e parë sezonal.

Nuk vonoi shumë dhe 4 minuta më pas edhe kostarikani Fredi Alvarez tentoi për të shënuar në rrjetën e Bozhinovskit, mirëpo shtylla këtë herë i mohoi golin skuadrës vendase.

Pas këtij goli të pësuar Sileksi hapi lojën, duke rrezikuar në dy raste portën e Naumovskit, i cili në minutën e 76-të madje kapituloi, mirëpo goli i Tanturovskit u anulua për shkak pozitës jashtëloje.

Për FC Shkupin ishte kjo fitorja e 7-të sezonale, me ç’rast skuadra nga Çairi tashmë kryeson renditjen tabelare me 22 pikë, një më shumë se Shkëndija e vendit të dytë, që ndeshjen e saj të javës së 10-të do ta zhvillojë nesër kundër Rabotniçkit në Tetovë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Close