Këtë të diel, Shkupi do të jetë nikoqir i një manifestimi të rëndësishëm të mundjes tradicionale, që renditet ndër organizimet më të mëdha të këtij lloji të mbajtura ndonjëherë në vendin tonë. Ngjarja do të zhvillohet në ambientet e QRS Kale, që për një ditë do të shndërrohen në arenë të vërtetë sportive.

Në këtë manifestim do të marrin pjesë shumica e mundësve më të mirë nga Maqedonia e Veriut, sportistë nga Greqia dhe Azerbajxhani, si dhe sportistë të veçantë nga Turqia, përfshirë edhe kampionë “Başpehlivan” të turneut prestigjioz Kırkpınar që zhvillohet mbi 600 vite në Edirne të Turqisë. Prania e këtyre emrave e bën këtë ngjarje një festë të sportit, traditës dhe respektit.
Organizimi i këtij manifestimi mban firmën e Tatin Qehajës nga Shkupi, i cili me këtë ngjarje sjell në kryeqytet një spektakël të rrallë sportiv dhe një promovim të denjë të traditës së mundjes tradicionale, duke ngjallur interes të madh te publiku dhe dashamirët e këtij sporti.
