Turneu ndërkombëtar i mundjes tradicionale-pehlivanëve u organizua me sukses dje dhe u mbyll në mënyrë dinjitoze, duke e kthyer Shkupin të dielën në qendër të vëmendjes të këtij sporti tradicional.
Në fokus të garave ishin bashpehlivanët, ku vendin e parë e fitoi turku Mustafa Taş, i ndjekur nga bashkëkombasi i tij Mustafa Batu, ndërsa vendi i tretë i takoi shkupjanit Fati Vejselit, i cili tregoi paraqitje të shkëlqyeshme kundër gjithë kundërshtarëve me të cilët u ndesh.
Moment i veçantë i turneut ishte edhe fitorja e madhe në kategorinë e dytë nga i riu, shkupjani Shaqir Bislimi, i cili mposhti Dejan Mitrovin dhe i dha fund dominimit të tij shumëvjeçar pa humbje në organizimet në vendin tonë.
Sukses shënoi edhe Xhahid Latifi nga Studenicani, që në të njëjtën kategori triumfoi ndaj turkut Hidajet Avxhi, duke konfirmuar nivelin e lartë dhe progresin e tij.
Paraqitje shumë të mira patën edhe pehlivanë të tjerë premtues vendas si Mejdi Bislimi, Trim Ismaili, Muhamed Veseli dhe disa emra të tjerë, të cilët lanë përshtypje pozitive.
Ndryshe, turneu i organizuar nga shkupjani Tatin Qehaja mblodhi ne nje vend mbi 50 mundës nga Maqedonia e Veriut, si dhe pjesëmarrës nga Turqia, Greqia, Azerbajxhani dhe Shqipëria, duke i dhënë këtij eventi karakter ndërkombëtar dhe një përmbyllje të denjë të një organizimi të madh.
