
Struga dhe Shkëndija u ndanë me barazim 1:1 në derbin e luajtur pasditën e sotme në kuadër të xhiros së 6-të në elitë. Pas sfidës, për kanalin zyrtar të ekipit tetovar ka folur tekniku, Jeton Beqiri, ku mes tjerash ka komentuar edhe çështjen e VAR-it.
“Ishte një ndeshje derbi. Ne vijmë nga një avanturë e gjatë europiane, ekipi ka lodhje në momente të veçanta, luan ndaj një skuadre që ka pesë fitore dhe ka vetëbesim maksimal. Besoj që në këtë fushë nuk mund të flasish shumë për futboll, në aspektin e futbollit taktik, pasi këtu ka vetëm luftë, vetëm angazhim dhe përplasje dhe ka disa situata që e vendosin takimin”.
“Mendoj se ai ishte momenti vendimtar i ndeshjes, pasi nëse realizonim për 0:2, aty do të mbaronte gjithçka, ky është mendimi im, pasi Struga në ato momente nuk do të kishte forcën e reagimit. Pastaj, pjesa tjetër e penalltisë është aksidentale, ku për hirë të vërtetes, mendoj se VAR-I ka dy standarte. Por, ne duhet të jemi të vetëdijshëm, se jemi skuadër më e mirë e kampionatit dhe këtë duhet ta tregojmë në fushë, duke luftuar kundër ekipeve kundërshtare dhe kundër gjithçka tjetër që na del përpara. Më shqetëson situate se me vendosjen e VAR-it, u paraqitën probleme që kanë të bëjnë me standarte të dyfishta. Është një lloj tendence që do ta ndjeki, ku shpresoj se do të largohet, pasi ne kërkojmë që të luajmë pastër, të luajmë në kushte të barabarta dhe normalisht dhe fusha le të jetë ajo që ta jep verdiktin final. Edhe pse nuk kemi të bëjmë me fushë ku mund të luhet futboll cilësor dhe serioz. Këtu ka vetëm, goditje dhe duele një me një. Dhe në këto situate, unë asnjëherë nuk jam i kënaqur me barazimin, besoj që ishim afër fitores sikur të avansonim në 0:2 me rastin e pastër dhe pastaj në fund mundeshim të ndeshkohemi. Por, kjo gjithçka është pjesë e lojës. Duhet të qëndrojmë të fortë, duhet të luftojmë shumë, ta përgatitim skuadrën për ndeshjen e ditës së diel dhe të bëjmë fitore që gradualisht do të çojnë drejt vendit të parë”, është shprehur Jeton Beqiri.