
Barazimi 0:0 me Pelisterin në Manastir në duelin e xhiros së 9-të të Ligës së Parë të futbollit të Maqedonisë së Veriut ka lënë të pakënaqur shefin e stafit teknik të KF Shkëndija, Jeton Beqiri, i cili pas ndeshjes vlerësoi si humbje këtë epilog.
Jeton Beqiri: “Mendoj se është një barazim i barabartë me humbjen, pasi bisedohet për një skuadër që është totalisht jashtë forme dhe tani ka një performancë jashtëzakonisht të dobët si kundërshtar. Dhe, ne duhej patjetër që të marrim tre pikët nga kjo ndeshje, ku besoj që është një gabim shumë i madh nga ana jonë.”
“Nuk luajti asgjë më mirë Pelisteri sipas mendimit tim, ndërsa ne nuk ishim në nivelin tonë, për të cilën ka shumë arsye, por që nuk kam interes tani ti përmend. Mbi të gjitha, në këto ndeshje shfrytëzohen një nga rastet e krijuara dhe duhet të fitohet ndeshja. Përndryshe mund edhe ta humbësh ndeshjen në rast se portieri nuk reagon në rastin e vetëm që patën, ashtu siç reagoi, do të thotë Amzai në një moment na shpëtoi nga humbja. Tani qasja e disa futbollistëve është për tu kritikuar, normalisht ne do të analizojmë, do të mundohemi të nxjerrim mësim nga kjo situatë, por e pranojmë se është një rezultat totalisht i papranueshëm.”