Ensar Emini, djaloshi që ëndërron futbollin

Ensar Emini, i lindur më 2 shkurt 2014, është një djalosh që po rritet me futbollin dhe që po hedh hapat e parë në këtë sport aq të dashur për fëmijët, teksa aktivizohet në pozitën e sulmuesit të majtë. Në këtë fazë të hershme të zhvillimit, ai ka tërhequr vëmendjen me paraqitjet e tij dhe me efikasitetin para portës kundërshtare.

Aktualisht, Emini është golashënuesi më i mirë i ligës komunale, një tregues i mirë i instinktit për gol dhe i aftësive që po zhvillon gradualisht. Shpejtësia, lëvizjet pa top dhe përfundimi i aksioneve janë elemente që bien në sy, gjithmonë brenda një procesi formimi që kërkon durim dhe punë të vazhdueshme.

Ai stërvitet në kuadër të shkollës së futbollit “Dardanët” nga Tetova, nën drejtimin e trajnerëve Islam Ibrahimi dhe Sherif Hamiti, të cilët njihen për punën e pandalshme që po e bëjnë me të rinjtë.

Dashuria e Ensarit për futbollin ka lindur natyrshëm, pa pasur ndonjë familjar të angazhuar në këtë sport. “Më pëlqen shumë futbolli. Kam filluar duke luajtur me shokët dhe duke parë ndeshje në televizion. Kam parë Real Madridin duke fituar shumë ndeshje dhe trofe. Cristiano Ronaldo më pëlqen shumë sepse ka bërë Real Madridin të fitojë ndër vite,” thotë i vogëlushi, duke folur për pasionin e tij.

Rrugëtimi i Ensar Emini është ende në fillim, ndërsa dëshira për të punuar, për të mësuar dhe për të ndjekur ëndrrën e tij për futbollin mbetet forca kryesore që e shoqëron në këtë fazë.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Close