Gjatë pushimit për shkak të paraqitjeve të ekipit përfaqësues të Maqedonisë, lojtarët e Shkupit janë përgatitur intensivisht për vazhdimin e sezonit. Ardit Destani, anësori i ekipit nga Çairi dhe golashënuesi i dy golave në kampionat deri më tani, beson se Shkupi mund të arrijë një rezultat pozitiv në ndeshjen jashtë fushe kundër Bashkimit.
“Pushuam, por edhe u përgatitëm sa më shumë që ishte e mundur për këtë ndeshje. Bashkimi është një kundërshtar serioz, një ekipi që është rikthyer në Ligën e Parë dhe ka treguar se është i rrezikshëm dhe luan në një nivel të lartë. Punuam shumë dhe po shkojmë në Kumanovë me një qëllim të qartë për të arritur një rezultat pozitiv. Bashkimi ka mbështetje të madhe nga tribunat, por për ne është gjithashtu pozitive që do të luajmë në një fushë të mirë dhe të përshtatshme për lojën tonë. Shpresojmë që të mos ketë gabime apo lëshime, dhe në fund të fitojë më i miri. Do të japim gjithçka, do të luftojmë deri në fund sepse besojmë në punën tonë, në ekipin tonë dhe në fitoren tonë”, tha Ardit Destani.
Ndeshja midis Bashkimit dhe Shkupit do të luhet në Kumanovë, në orën 14:30.
