Ajradin Cuculi: Qëllimi jonë është vetëm fitorja, ta dëshmojmë se triumfi në Kavadar nuk ishte rastësi

Pas fitores së rëndësishme në transfertë kundër Tikveshit në Kavadar, Arsimi në sfidën e radhës në kuadër të xhiros së 11-të të Ligës së Parë të Futbollit, do të përballet me Rabotniçkin.

Atmosfera në kampin e Arsimit është pozitive, dhe fitorja në Kavadar u solli lojtarëve motivim dhe vetëbesim shtesë. Një nga lojtarët në mbrojtjen e Arsimit, Ajradin Cuculi, thotë se atmosfera është e gëzueshme dhe pret që ritmi i fitoreve të vazhdojë.

“Pas fitores në transfertë kundër Tikveshit, punuam shumë për këtë ndeshje në mesjavë kundër ekipit të Rabotniçkit. Natyrisht, jemi të lumtur që fituam ndeshjen kundër Tikveshit, sepse patëm rastet tona dhe i shfrytëzuam ato në maksimum. Ishte një kthesë e madhe në rezultat dhe arritëm qëllimin tonë të fitores”, tha mbrojtësi i Arsimit, Cuculi. 

“Tani kemi një kundërshtar si Rabotniçki përpara nesh. E dimë që as ata nuk janë në formën më të mirë, por kjo nuk na intereson. Do të dalim në fushë vetëm me qëllimin për të fituar. Duam të kapim një ritëm fitoresh dhe të dëshmojmë se triumfi në Kavadar nuk ishte rastësi”, shtoi mbrojtësi i Arsimit, Ajradin Cuculi.

Ndeshja ndërmjet Arsimit dhe Rabotniçkit do të luhet sot në stadiumin e qytetit në Gostivar, duke filluar nga ora 13:30.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Close