Adenis Shala: “Futbolli uzbek është dukshëm më i fortë se ai i Maqedonisë dhe Kosovës. Kanté më la pa fjalë”

Sulmuesi kosovar Adenis Shala gjashtë muaj më parë vendosi ta vazhdojë karrierën jashtë Evropës, duke iu bashkuar klubit uzbek Nasaf. Në një intervistë në Uzbekistan, Shala ka folur për përvojën e tij në futbollin aziatik, përshtatjen me një ambient krejtësisht të ri dhe përballjet në Ligën e Kampionëve të Azisë kundër yjeve botërorë.

Para se të mbërrinte në Uzbekistan, Shala ishte formuar edhe në klube të njohura si Hajduk Split dhe Fenerbahçe, ndërsa në Kosovë ka luajtur për Ferizajn, Feronikelin, Gjilanin dhe Trepçën ’89. Kulmin e karrierës së tij deri tani e arriti me Shkëndijën e Tetovës, ku fitoi titullin kampion dhe mbetet ende shumë i dashur për tifozët kuqezi.

Kalimi në Uzbekistan ishte një sfidë jo vetëm sportive, por edhe personale për futbollistin nga Prishtina, i cili u përball me një kulturë dhe mënyrë jetese ndryshe.

Vendosa ta vazhdoj karrierën në Uzbekistan sepse kampionati është i fortë. Zgjodha Nasafin pasi është një nga klubet më të mira në vend dhe ka strukturë shumë profesionale. Adaptimi nuk është i lehtë, sepse jeta këtu është ndryshe nga Evropa, por çdo ditë po përshtatem gjithnjë e më shumë”, u shpreh Shala.

Duke krahasuar kampionatet, ai theksoi:

“Sipas mendimit tim, futbolli në Uzbekistan është më fizik dhe më intensiv. Ka shumë lojtarë të fortë dhe ky nivel është dukshëm më i lartë se në Maqedoni dhe Kosovë.”

Me Nasafin, Shala mori pjesë edhe në Ligën e Kampionëve të Azisë, ku u përball me gjigantë si Al Hilal, Al Ahli dhe Al Ittihad.

Të luash kundër skuadrave me histori dhe lojtarë kampionë ishte një përvojë e jashtëzakonshme dhe e paharrueshme për mua”, tha ai.

Në këto ndeshje, Shala pati rastin të përballet me yje si Karim Benzema dhe N’Golo Kanté, për të cilin kishte fjalë të veçanta:

“Kanté më la përshtypjen më të madhe. Thjeshtësia dhe modestia e tij janë të pabesueshme, sidomos kur dihet se ka fituar Botërorin, Premier League dhe Champions League. Ishte një përvojë shumë pozitive dhe e papritur për mua.”

Sa i përket të ardhmes, ajo mbetet ende e hapur, pasi ekziston mundësia që Adenis Shala në sezonin e ardhshëm të rikthehet sërish në Evropë.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Close