FC Shkupi konfirmon Umit Karanin si trajner të ri

Umit Karan është trajner i ri i FC Shkupit. Lajmi që qarkullonte në media e opinion që nga momenti i ndarjes së Shkupit me tashm ish-trajnerin Muharem Bajrami, sot ka marrë konfirmim nga drejtuesit e skuadrës nga Çairi. Përmes një postimi në faqen zyrtare të klubit, Shkupi komunikon marrëveshjen me Umit Karanin, i cili kthehet në pankinën e ‘bardhekaltërve’ pas një pauze prej një viti. Palët kanë firmosur kontratë deri në fund të sezonit, me opsion që bashkëpunimi të zgjatet nëse arrihen objektivat. Paralel me angazhimin e Umit Karanit, FC Shkupi ka njoftuar se ndihmës të tij do të jenë Armend Nexhipi, Volkan Sayilgin dhe Ahmet Ozen.

“Fillimisht dua të falënderoj të gjithë, në jetën time kam dy ekipe më të dashura, njëra është Galatasaray dhe tjetra Shkupi. Jam shumë i lumtur që përsëri jam në Shkup dhe do e vazhdoj punën për të cilën mendoj se e kishim lënë në gjysmë, pra erdha këtu për ta kryer punën deri në fund. E falënderoj pronarin e klubit Olgun Aydin, po ashtu edhe drejtorin sportiv dhe kryetarin e klubit Suat Alija që më dhanë mundësi të jem përsëri këtu. E nesërmja në futboll asnjëherë nuk është e garantuar. Ish-trajneri i klubit Muharrem Bajrami është një mik i imi, me të cilin kemi pasur në të kaluarën bashkëpunim fantastik, ai si kapiten i ekipit dhe unë si trajner, por në futboll ndodhin edhe gjëra të paparashikueshme. E falënderoj për kontributin e dhënë deri më tani, ndërsa ne shpresojmë që me ekipin që posedojmë të bëjmë gjëra të mëdha dhe të arrijmë të dalin kampion në fund të sezonit. Siç e kam cekur, kemi një ekip cilësor, me të cilin duhet punuar shumë për të arritur objektivat. Na priftë e mbara”, ka thënë Umit Karan në prononcimin e tij të parë në faqen zyrtare të FC Shkupit. Skuadra nga Çairi vazhdon garat në kampionat duke qenë në pozitën e dytë në renditje të tabelës, ndërsa ndeshja e radhës është të shtunën kundër Borecit.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Close