Eliminimi i Al Nassr nga Kupa e Mbretit të Arabisë Saudite, pas humbjes 2-1 ndaj Al Ittihad, shënon një tjetër zhgënjim për Cristiano Ronaldon.
Për portugezin 40-vjeçar, kjo nuk ishte thjesht një humbje – ishte një tjetër mundësi e humbur për të ngritur një trofe në nivel klubesh.
1,623 ditë pa trofe në klub
Ronaldo nuk ka fituar një trofe zyrtar me asnjë klub që nga maji i vitit 2021, kur me Juventusin ngriti Kupën e Italisë.
Kjo do të thotë se kanë kaluar pothuajse katër vjet e gjysmë – plot 1,623 ditë – pa një sukses të ri në karrierën e tij të pasur.
Që nga ajo kohë, ai ka provuar fatin në tri skuadra: Juventus, Manchester United dhe Al Nassr, por pa arritur të fitojë ndonjë titull të madh.
Kupa Arabe, suksesi “jozyrtar”
E vetmja arritje që mund të renditet në këtë periudhë është Kupa e Kampionëve Arab, e fituar në verën e vitit 2023 me Al Nassr.
Megjithatë, kjo garë nuk konsiderohet zyrtare nga FIFA dhe federatat ndërkombëtare, pasi ka karakter miqësor.
Ronaldo, i cili ka fituar gjithsej 34 trofe në karrierë, përfshirë 5 Liga të Kampionëve, 3 tituj të Ligës Premier, 2 Serie A dhe 2 La Liga, po kalon periudhën më të gjatë të “thatë” në aspektin e sukseseve kolektive.
Në moshën 40-vjeçare, ai vazhdon të jetë golashënues i rregullt për Al Nassr, por ekipi i tij nuk ka arritur të shndërrojë performancat individuale në trofe. /Telegrafi/
