Përpara ndeshjes së tij të parë Liverpool-Manchester United, në janar të 2016, Jurgen Klopp e përshkroi ndeshjen klasike të Anglisë si “kripa në supë”. Gjermani nuk e përjetoi shijen e fitores, pasi goli i Wayne Rooney në minutën e 78-të në Anfield, i shkaktoi një humbje demoralizuese skuadrës së tij.

Pas debutimit me humbje në klasiken e Anglisë, Jurgen Klopp të paktën ishte në shoqëri të mirë. Asnjë trajner i Liverpoolit nuk e ka fituar takimin e tij të parë me United që nga Bob Paisley në 1975. Por vetëm pas shtatë vitesh, dinamika mes dy peshave të rënda historike të futbollit anglez ka ndryshuar në mënyrë drastike. Veçanërisht kur ata përballen me njëri-tjetrin në Anfield.
Gjatë hegjemonisë së Klopp në Liverpool, Anfield është kthyer në një makth të madh për Manchester United. Djajtë e Kuq nuk kanë fituar në Merseyside në tetë ndeshje në të gjitha kompeticionet që nga ajo ditë në janar të 2016. Duhet të kthehemi në vitet 1970 për herë të fundit që kur United ka pritur kaq gjatë për një fitore në Anfield.
Për ta përkeqësuar rekordin, në shtatë nga tetë vizitat e fundit, United nuk ka arritur as të shënojë! Goli i tyre i vetëm në më shumë se 12 orë futboll në Anfield ishte barazimi i pjesës së parë nga Jesse Lingard, në një humbje 3-1 në dhjetor 2018, një ditë që mbahet mend nga vendasit për dy golat e shënuar nga zëvendësuesi Xherdan Shaqiri.
Ndërsa forma e United në Anfield ka një rënie evidente, po kështu edhe poshtërimet në Anfield janë shtuar më shumë. Veçanërisht në dy sezonet e fundit. Një fitore 4-0 e Liverpool në prill të 2022, bëri që Ralf Rangnick, trajneri i përkohshëm i United, të thoshte pas ndeshjes se Liverpool është “gjashtë vjet përpara nesh”.
Ndërsa ish-kapiteni i United, Roy Keane tha fjalët e famshme: “Manchester United nuk ka lidership, nuk ka karakter, luftë dhe vendosmëri”. Por kjo nuk ishte asgjë në krahasim me takimin e sezonit të kaluar në Merseyside; një goditje 7-0 që përfaqësoi fitoren më të madhe në historinë e rivalitetit ndërmjet dy skuadrave.
Duke tejkaluar fitoren 7-1 të Liverpool ndaj Newton Heath, siç njihej atëherë United, në 1895, dhe barazoi humbjen më të rëndë që i ishte shkaktuar United. Ajo që e bëri atë ditë të marsit kaq befasuese ishte se United udhëtoi drejt transfertës mbi skuadrën e Liverpoolit në tabelën e renditjes.
Mesfusha e Klopp ishte e lëkundur për shkak të moshës, nevoja për rindërtim në verë ishte mese e dukshme. Nga ana tjetër, United kishte 10 pikë më shumë se The Reds dhe ndodhej në vendin e tretë, ndërsa Liverpool në vendin e gjashtë. Megjithatë, kjo nuk pati asnjë vlerë, pasi United kapitulloi në pjesën e dytë, duke pësuar gjashtë gola. Ndërsa Cody Gakpo hapte serinë e golave me finalizimin në fundin e pjesës së parë.
Nuk është rastësi që edhe Mohamed Salah duket se rezervon formën e tij më të mirë për përballjet me United. Egjiptiani ushqehet me intensitetin e atmosferës, duke e ditur mirë se çfarë do të thotë përulja e United për tifozët që e ndjekin. Dhe si rezultat është bërë ndëshkuesi i tyre kryesor në këtë takim.

Numri i tij prej 12 golave në 12 paraqitje për Liverpool kundër United, është më i madhi që ka shënuar egjiptiani ndaj çdo kundërshtari. Asnjë lojtar i Liverpoolit nuk ka shënuar më shumë kundër United, Steven Gerrard është i radhës në listë me nëntë realizime.
Jurgen Klopp e di mirë rëndësinë e ndeshjes Liverpool-Manchester United dhe çdo statistikë e mundshme favorizon Liverpoolin. Ata i kanë fituar të shtatë ndeshjet e tyre në Premier League në shtëpi këtë sezon, duke konfirmuar ecurinë fantastike në Anfield. Në të kundërt, United vjen pas një ecurie zhgënjyese.
Teksa u eliminuan nga Champions League në mesjavë duke e mbyllur të fundit në grup. Përveç problemeve të shumta të Ten Hag me dëmtimet, të dielën do të vuajnë dhe mungesën e kapitenit Bruno Fernandes, që ka plotësuar numrin e kartonëve.
“Kripa në supë” e Jurgen Klopp sigurisht që është bërë shumë më e shijshme që nga shija e parë në 2016. Ecuria e dobët e United në Anfield që prej vitit 2016 është një kontrast i frikshëm me periudhën e drejtimit të Sir Alex Ferguson. Manchester United fitoi pesë herë radhazi në Anfield nga viti 2002 dhe deri në vitin 2007.
Dhe një tjetër ecuri të ngjashme e shënuan po me trajnerin skocez nga viti 1996 deri në vitin 2000. Ku nuk humbën në 10 ndeshjet e zhvilluara në të gjitha kompeticionet. Liverpool- Manchester United është një ndeshje mes dy skuadrave më të titulluara në futbollin anglez. Shpeshherë statistikat dhe informacionet e prag-ndeshjes ofrojnë një tablo të pjesshme rreth takimit që do të luhet në fushën e lojës.

Pasi futbolli, sidomos në ndeshjet derbi, ka një mënyrë ironike funksionimi, ku pavarësisht formës, ecurisë dhe rendimentit, ajo që ndodh në fushën e lojës mund të përmbysë gjithçka të parashkruar.
Për këtë arsye, futbolli mbetet sporti më i ndjekur në të gjithë botën, për shkak të emocioneve dhe ngjarjeve të paparashikueshme që sjell gjithnjë në vëmendje. Karakteristika që janë më së miri të mishëruara në Premier League dhe në futbollin bio.
Spektaklin e orës 17:30 mes dy kolosëve të futbollit ishullorë, Liverpool-Manchester United do të mund ta ndiqni live edhe ekskluzivisht në ekranin e Supersport 2. Pa munguar dhe emisioni me analizën e specializuar para dhe pas ndeshjes.

